Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është sinonim për mbrojtjen e interesave afariste të kompanive në vend dhe në rajon. Ekzistenca 15 vjeçare e arsyeton titullin e këtij institucioni si përfaqësues i vërtetë i nevojave të bizneseve. Viti 2020 ishte jubilar për Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në të cilin, përveç 15 vjetorit të ekzistencës së saj, kremtoi edhe 10 vjetorin e ngjarjes tradicionale TOP 100. Misioni kryesor i kësaj ngjarjeje është promovimi dhe vlerësimi i kompanive më të suksesshme në vend, si dhe nxjerrja në pah e meritave të sipërmarrësve, të cilët janë një nga arsyet kryesore për suksesin dhe ekzistencën shumëvjeçare të Odës Ekonomike. Nëpërmjet ngjarjes prestigjioze TOP 100, Oda Ekonomike rendit dhe shpërblen kompanitë më të mëdha dhe më të suksesshme, të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë në veprimtarinë e tyre. Ngjarja ka efekt në rritjen e konkurrencës dhe gjithashtu stimulon zhvillimin e kompanive. Nëpërmjet një sistemi të paracaktuar të klasifikimit, në edicionin jubilar të ngjarjes TOP 100, Oda Ekonomike ndau disa çmime, duke përfshirë çmimin për kompaninë me rritje më të shpejtë, i cili i takoi kompanisë AK-Invest. AK-Invest është një kompani ndërtimi me reputacion, me seli në Tetovë. Ajo filloi veprimtarinë e saj në vitin 1992 dhe që atëherë e deri më sot, kompania është sinonim për profesionalizëm dhe seriozitet në punë. Kompania punon me një qëllim të vetëm, që është ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve dhe zgjidhjeve inovative, efikase dhe fleksibile për klientët. Ekipi ndërkombëtar i ekspertëve, menaxhon logjistikën dhe operacionet komplekse, nëpërmjet të cilave ata arrijnë në mënyrë efektive qëllimet e vendosura. Kompania investon pareshtur në edukimin dhe praktikën e punonjësve të saj, me përdorimin e kritereve botërore, duke rritur kështu kënaqësinë tek ata. Punonjësit me një grup të veçantë aftësish, garantojnë dhe plotësojnë standardet e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve. AK-Invest si kompani e përkushtuar me zhvillim dhe zgjerim të vijueshëm të biznesit të saj, ndërton dhe zhvillon marrëdhënie partneriteti me kompani, organizata dhe institucione të tjera. Lista e partneriteteve të forta dhe të suksesshme përfshin partneritetin e shkëlqyer me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. OEMVP bën organizimin, avancimin, mbrojtjen e interesave dhe promovimin e bizneseve në vend dhe jashtë, përkrah sfidave të konkurrencës globale dhe synon që të bëhet organizatë lider në përfaqësimin e interesave të bizneseve si dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për zhvillim.